Maj - 27 - E Dielë

Dhe Jezusi shkoi në malin e Ullinjve. Por, si zbardhi dita, u kthye përsëri në tempull dhe gjithë populli erdhi tek ai; dhe ai u ul dhe i mësonte. Atëherë farisenjtë dhe skribët i prunë një grua që ishte kapur duke shkelur kurorën dhe, mbasi e vunë në mes, i thanë Jezusit: «Mësues, kjo grua është kapur në flagrancë, duke shkelur kurorën. Por në ligj Moisiu na ka urdhëruar të vriten me gurë gra të tilla, por ti ç'thua?» ... Por Jezusi, duke u shtënë se nuk dëgjoi, u përkul dhe shkroi me gisht në dhe.
Gjoni 7,53 - 8,6

Mendime rreth Ungjillit të Gjonit (69)

Ndërkohë ditës po i afrohej fundi dhe të gjithë u kthyen në shtëpi. Jezusi nuk kishte shtëpi në këtë tokë, tek e cila mund të tërhiqej; kështu që shkoi në malin e Ullinjve, vend jo me pak rëndësi në jetën e Tij. Këtu Ai kaloi kohë shpesh duke u lutur, dhe pikërisht këtu, në kopshtin e Gjetse­manit, iu desh të duronte agoninë e tmerrshme para se ta kapnin. Në atë rast, tek ra në gjunjë para Atit, Ai foli fjalët që kishin karakterizuar rrugën e Tij, por që tani kishin domethënie edhe më të madhe: «Mos u bëftë vullneti im, por yti!» Pikërisht nga mali i Ullinjve Zoti u ngrit në qiell dhe po atje Ai do të dalë në lavdi para popullit të Tij (shih Veprat e Apostujve 1,11; Zakaria 14,4).

Të nesërmen në mëngjes Jezusi hyri përsëri në tempull pët të mësuar njerëzit që ishin mbledhur atje. Sidoqoftë, skribët e farisenjtë, të cilët kërkonin gjithmonë mundësi për ta akuzuar, i çuan një kurorëshkelëse. Ishin të bindur se mund ta futnin në kundërshtim me ligjin po të tregonte hir ndaj asaj gruaje. Por Jezusi është Drita që nxjerr në pah gjithçka.

 

 (vazhdon të dielën e ardhshme)